Renault Captur Initiale Paris, formula e kampionit

0 35

Edhe pse Renault Capture që nga viti 2013 kur është prezantuar ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme të shitjes, kjo kompani kishte vendosur për një ri-freskim të këtij modeli. Dhe qëllimi nuk ishte të nxitej edhe ashtu shitja mjaft e mirë e këtij modeli, por që të mbahej niveli i tanishëm i shitjes.

Kështu tani Renault ka sjellë modelin e ri-freskuar Captur Initiale Paris, çka është treguar vendim i duhur, duke marrë parasysh komentet pozitive që ka marrë. Dhe ndryshimet nuk janë shumë të komplikuara, siç mundohen prodhuesit e tjerë, por në këtë rast është shkuar në përmirësimin e performancës së motorit 1.5 dCi, pastaj është përmirësuar kualiteti i materialeve dhe i punës, janë ulur harxhimet e karburantit, ka përmirësime në hapësirën e brendshme, etj.

Pamja e jashtme

Sa i përket ndryshimeve në pamjen e jashtme, ato përfshijnë maskën e re, së bashku me mbrojtësit, kemi sinjalizues të rinj të drejtimit, derisa dritat e mëdha të ditës LED, përfshijnë edhe ato të mjegullës. Përveç pjesës së përparme, në mënyrë të lehtë është përmirësuar edhe pjesa e pasme, që së bashku me disa ngjyra të reja të karrocerisë dhe pajisjeve më të pasura, do ta mbajnë nivelin e mirë të shitjes.

Interieri

Një vëmendje i është kushtuar edhe organizimit të pjesës së brendshme, ku para se gjithash është dollapi i madh para, që është quajtur Easy Life dhe i cili përveç që është atraktiv, në të mund të vendosen ndjeshëm më shumë gjësende se sa në dollapin paraprak.

Pozita e ulëses së vozitësit, sikurse edhe tek modelet tjera SUV, është ngritur paksa, çka mundëson një pamje më të mirë si para, ashtu edhe prapa. Dizajni i interierit dhe tabloja e instrumenteve, është inspiruar nga Renault Clio, që përfshinë kombinimin e ekranit numerik dhe analog si dhe sistemin multi-medial me ekranin e ndjeshëm në prekje me dimensione 7 inç.

Edhe ulëset janë mjaft të rehatshme dhe janë të punuara nga materiali mjaft komod dhe varësisht prej pakos së pajisjeve mund të porositen edhe me lëkurë Nappa. Është përmirësuar edhe kualiteti i plastikës dhe atë për të gjitha versionet dhe tani është më e këndshme në prekje. Varësisht prej pakos së pajisjeve, ju mund të merrni edhe sistemin e mbikëqyrjes së këndit të vdekur, sistemin e kamerave për ndihmë gjatë parkimit, xhamat e errësuar, fellne specifike 17 inç, drita LED në kabinë, sistemin multimedial R-LINK me navigacionin Tom-Tom, sistemi Hi-F Bose, etj. Duhet përmendur edhe mundësinë që ta porositni me kulmin panoramë, çka e shton edhe më shumë kënaqësinë gjatë vozitjes.

Motori

Nën kapakun e motorit nuk ka befasi, pasi janë mbajtur motorët e deritanishëm. Bëhet fjalë për motorin 1.5 litërsh DCI i cili vjen me 90 dhe 110 kuaj fuqi. Ky motor vjen në kombinim me marshin manual apo automatik me 6 shpejtësi.

Varësisht nga mënyra e vozitjes, harxhimet e këtij motori sillen në rreth 3.7 litra për 100 kilometra të kaluara, çka është vlerë e jashtëzakonshme.

Shpejtësia maksimale është 182 km/h, derisa përshpejtimi nga 0 në 100 km/h, arrihet për 11.4 sekonda. Në dispozicion janë edhe motorët me benzinë, ai TCe me 90 kuaj fuqi dhe TCe me 120 kuaj fuqi. Të gjithë motorët vijnë edhe me teknologjinë Start-stop. Kur bëhet fjalë për çmimet, modeli bazë me benzinë, fillon me çmim prej 14.390 euro, derisa modeli më i shtrenjtë me benzinë, është 21.890 euro.

Modelet me naftë fillojnë me çmim prej 16.490 euro, derisa modeli më i shtrenjtë, atë të cilin edhe e kemi testuar, është 22.690 euro. Për të interesuarit për ta blerë këtë veturë, është edhe mundësia e kreditimit të veturës përmes Raiffeisen Leasing, deri në 80 për qind të vlerës së veturës, çka është një mundësi shumë e mirë.

Performancë impresive

Sa i përket performancës në rrugë, nuk mund të gjesh asnjë vërejtje. Duhet cekur se amortizatorët janë rregulluar në atë mënyrë që rehatia të jetë më e madhe dhe më pak i është kushtuar rëndësi zhdërvjelltësisë. Ngritja e distancës nga toka, është mirë për rrugë të pashtruara dhe për ngjitje përpjetëzave të mëdha, ku në situata të vështira vjen në ndihmë edhe sistemi Extended Grip (diferenciali elektronik me rrëshqitje të kufizuar.

Comments
Loading...